Prishtinë, 16 janar 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Y.B për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terroristë nga neni 143 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit nga neni 131 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari Y.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) viteve, ndërsa koha e kaluar në masën e paraburgimit i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.
Në kuptim të nenit 363 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPRK-së, ndaj të akuzuarit Y.B refuzohet aktakuza për veprën penale Lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit nga neni 131 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për shkak të tërheqjes së Prokurorit të Prokurorisë Speciale.
Të akuzuarit Y.B konform nenit 367 par 1 nën paragrafi 1.1 lidhur me paragrafin 3, 6 dhe 7 të KPPK-së, i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më shumë se dënimi shqiptuar në Aktgjykim.
I akuzuari Y.B me qëllim të bashkëngjitjes organizatave terroriste në muajin mars të vitit 2013, me dashje dhe me vetëdije të plotë duke qenë në dijeni që veprimi i tillë është i kundërligjshëm, ka marrë pjesë në veprimtarinë terroriste në atë mënyre që e ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të tij në Republikën e Kosovës dhe ka udhëtuar nga aeroporti i Prishtinës, ‘’Adem Jashari’’ për në Turqi, e pastaj përmes Republikës së Turqisë ka udhëtuar drejtë shtetit të Sirisë dhe ka filluar ushtrimet ushtarake më qëllim që të merr pjesë në luftime në kuadër të organizatës terroriste Abal-al-Nusra ‘’ Daela-Islamia’’, e cila më vonë është njohur si ISIS, organizatë kjo e shpallur, organizatë terroriste nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku ka qëndruar deri me datën 28 Maj 2022, kur edhe është kthyer nga Siria në Kosovë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.