Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Y.B për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terroristë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka  shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Y.B për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terroristë

Prishtinë, 16 janar 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Y.B për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terroristë nga neni 143 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit nga neni 131 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari Y.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) viteve, ndërsa koha e kaluar në masën e paraburgimit i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.

Në kuptim të nenit 363 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPRK-së, ndaj të akuzuarit Y.B refuzohet aktakuza për veprën penale Lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit nga neni 131 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,  për shkak të tërheqjes së Prokurorit të Prokurorisë Speciale.

Të akuzuarit Y.B konform nenit 367 par 1 nën paragrafi 1.1 lidhur me paragrafin  3, 6 dhe 7 të KPPK-së,  i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më shumë se dënimi shqiptuar në Aktgjykim.

I akuzuari Y.B me qëllim të bashkëngjitjes organizatave  terroriste në muajin mars të vitit 2013, me dashje dhe me vetëdije të plotë duke qenë në dijeni që veprimi i tillë është i kundërligjshëm, ka marrë pjesë në veprimtarinë terroriste në atë mënyre që e ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të tij në Republikën e Kosovës dhe ka udhëtuar nga aeroporti i Prishtinës, ‘’Adem Jashari’’ për në Turqi, e pastaj përmes Republikës së Turqisë ka udhëtuar drejtë shtetit të Sirisë dhe ka filluar ushtrimet ushtarake më qëllim që të merr pjesë në luftime në kuadër  të organizatës terroriste Abal-al-Nusra  ‘’ Daela-Islamia’’, e cila më vonë është njohur si ISIS, organizatë kjo e shpallur, organizatë terroriste nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku ka qëndruar deri me datën 28 Maj 2022, kur edhe është kthyer nga Siria në Kosovë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.