Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit A.B për tri vepra penale

Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit  kundër të pandehurit A.B  për tri vepra  penale

Prishtinë, 18 Prill 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.B , për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasja në tentativë, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe veprën penale Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Gjyqtari i procedurës paraprake  ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.B dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi i është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit andaj nëse i pandehuri A.B  lihet në liri, i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes së tij dhe kjo do të vështirësonte përfundimin me sukses të kësaj procedure, po ashtu i pandehuri A.B nëse do të jetë në liri, mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale ose do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar tek bashkëpjesëmarrësi i tij NN, gjithashtu mund të ndikojë edhe tek dëshmitarët e rastit.

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 11.04.2024, rreth orës 01:30 minuta, në rrugën “Kansas” në Lagjen Marigona, Prishtinë, i pandehuri A.B me persona N.N, për shkak të mosmarrëveshjeve në mes të familjes B. me familjen O. dhe me qëllim të hakmarrjes tenton të privojë nga jeta tani të dëmtuarin A.O dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.