Caktohet masa e paraburgimit kundër të pandehurve M.B dhe A.O për veprën penale Vrasja e rëndë në tentativë

Caktohet masa e paraburgimit  kundër të pandehurve M.B dhe A.O  për veprën  penale Vrasja e rëndë në tentativë

Prishtinë, 18 Prill 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.B, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasja e rëndë në tentativë dhe A.O për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Vrasja e rëndë në tentativë dhe Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Gjyqtari i procedurës paraprake  ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve M.B dhe A.O dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin, paraburgimi iu është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit andaj nëse dy të pandehurit  lihen në liri, të njëjtit mund të jenë të pa arritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes së tyre dhe kjo do të vështirësonte përfundimin me sukses të kësaj procedure, po ashtu të pandehurit M.B dhe A.O nëse do të jenë në liri, mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale ose do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar tek të pandehurit tjerë, bashkëpjesëmarrësit të cilët janë në arrati, gjithashtu mund të ndikojnë edhe tek dëshmitarët e rastit.

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 16.04.2024, rreth orës 15:10 min. në rrugën lokale Graçanicë–Lapllasellë afër lokalitetit arkeologjik “Ulpijana”, të pandehurit M.B dhe A.O, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake, me qëllim të hakmarrjes tentojnë të privojnë nga jeta njëri tjetrin dhe me atë rast me dashje e vënë  në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.