Prishtinë, 13 Mars 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit GJ.M për shkak të veprës penale Dhënie e ryshfetit në vazhdimësi, Ushtrimi i ndikimit dhe veprës penale Mashtrim me subvencione në vazhdimësi dhe të akuzuarit H.B për shkak të veprës penale Dhënie e ryshfetit dhe Mashtrim me subvencione.
I akuzuari GJ.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej dy (2) vite e gjashtë (6) muaj, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 03.12.2021 deri më 03.05.2022, si dhe me dënim me gjobë në shumë prej katër mijë (4.000,00) euro, të cilin dënim i akuzuari është i obliguar ta paguaj në afat prej një (1) muaj, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I akuzuari H.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej një (1) viti, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 03.12.2021 deri më 03.05.2022, si dhe në shumë prej tre mijë (3.000,00) euro, të cilin dënim i akuzuari është i obliguar ta paguaj në afat prej një (1) muaj, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Nëse të akuzuarit GJ.M dhe H.B nuk dëshirojnë ose nuk munden ti paguajnë dënimet me gjobë, atëherë dënimet me gjobë iu zëvendësohen secilit veç e veç me dënim me burgim, duke e llogaritur për çdo ditë të kaluar në burgim nga njëzet (20) €uro, ashtu që të akuzuarit GJ.M i zëvendësohet dënimi me gjobë me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dyqind (200) ditëve, ndërsa të akuzuarit H.B i zëvendësohet dënimi me gjobë me dënim me burgim në kohëzgjatje prej njëqind e pesëdhjetë (150) ditëve.
Të akuzuarit detyrohen që ti paguajnë shpenzimet e paushallit gjyqësor secili veç e veç shumën prej njëqind (100) euro, si dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit secili veç e veç shumën prej njëqind (100) euro, të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi.
E dëmtuara Avokatura Shtetërorë e Kosovës pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës në Prishtinë, për realizimin e kërkesës pasurore – juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.