Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurve A.K dhe I.H për veprën Rrezikimi i Personelit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i Personelit në marrëdhënie me to

Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit  kundër të pandehurve  A.K dhe I.H për veprën Rrezikimi i Personelit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i Personelit në marrëdhënie me to

Prishtinë, 28 Shkurt 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K dhe I.H, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Rrezikimi i Personelit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i Personelit në marrëdhënie me to në bashkëkryerje nga neni 168 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake  ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K dhe I.H dhe të njëjtëve  iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi është caktuar  në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1,1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të lartëcekur.

Të pandehurit A.K dhe I.H dyshohen se në bashkëkryerje me datë 26.02.2024 rreth orës 10:00 në një kafiteri në fshatin Lubiqevë, në Komunën e Prizrenit, kishin ofenduar dhe pastaj kishin  kanosur seriozisht pjesëtarët e KFOR-it Italian se do ti vrasin, e të cilët janë në mision paqeruajtës në Kosovë me mandat të OKB-së  dhe duke marr për bazë  faktin se vepra penale për të cilën dyshohen  ka ndodhur ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët veprojnë në Kosovë për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe për lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës, andaj ekziston rreziku real se me qëndrimin e tyre në liri, të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo të përfundojnë veprën e kanosur dhe sipas vlerësimit të gjykatës caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurve në këtë fazë të procedurës penale është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për zbatim me sukses dhe efektiv të kësaj procedure penale dhe sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.