Gjykata ka shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarin D.A për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile

Gjykata ka  shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarin D.A për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile

Prishtinë, 02 Shkurt 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarit D.A për shkak të veprës penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të ish ligjit penal të RSFJ-së.

I akuzuari D.A është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej  trembëdhjetë (13 ) viteve, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 08.12.2021 deri në këtë plotëfuqishmërinë e këtij Aktgjykimi, të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotëfuqishmërinë e këtij Aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar, po ashtu obligohet i akuzuari D.A që ti paguaj të gjitha shpenzimet e procedurës penale.

D.A është akuzuar se në bashkëkryerje me pjestarë tjerë të policisë serbe dhe grupe paramilitare, të përbërë nga shumica të nacionalitetit serb, në periudhën e luftës në Kosovë, konkretisht prej muajit Janar-Qershor të vitit 1999, fillimisht kishte marr pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës me rrethinë, pastaj kishin filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ja kishin vënë zjarrin, po ashtu kishin marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, e disa nga ta i kishin plagosur dhe vrarë. I akuzuari D.A po ashtu kishte marr pjesë në ekzekutimin e viktimës, tani të ndjerit B.SH, ashtu që me datë 20.04.1999, në fshatin Butovc, Komuna e Prishtinës në vendin e quajtur  “Varrezat e Maqedoncve” deri sa viktima kishte qenë duke ecur, e kishin gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kishin goditur, atëherë e kishin urdhëruar të dëmtuarin A.K, në atë kohë 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.SH ta mbajë në shpinë, edhe pse i dëmtuari kishte pasur lëndime të konsiderueshmë fizike, pasi që paraprakisht i pandehuri D.A e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokoleve shtesë.

I dëmtuari A.K udhëzohet në kontest të rregullt civil, lidhur me kërkesën pasurore juridike.

Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.