Mbahet kolegjiumi i fundvitit me gjyqtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe degëve të saj

Mbahet kolegjiumi i fundvitit me gjyqtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe degëve të saj

Prishtinë 28 dhjetor 2023 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë znj.Albina Shabani Rama ka mbajtur kolegjiumin e fundvitit me gjyqtarë për vitin 2023. Pjesëmarrës ishin të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe degëve të saj.

Kryetarja e gjykatës fillimisht ka falenderuar gjyqtarët për angazhimin e tyre profesional në trajtimin e lëndëve dhe rritjen e efikasitetit në punë, më pas prezantoi pasqyrën e performancës së vitit 2023, sfidat, mangësitë si dhe Planin e Punës për Vitin 2024.

Në Planin e prezantuar për vitin 2024 është paraparë organizimi i punës në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe degëve të saj, organizimi i punës së administratës gjyqësore, funksionet gjyqësore, emërimin e udhëheqësve të Departamenteve dhe Përgjegjësit e Divizioneve, përbërjen e kolegjeve, procedurën paraprake, kodin e mirësjelljes, etj.

Gjithashtu në planin e punës janë paraparë që gjyqtarët e Departamentit të Përgjithshëm Divizioni penal z.Ertan Sejfulla dhe z.Gent Beka të kalojnë në Departamentin për Krime të Rënda, po ashtu është emëruar gjyqtarë përgjegjës i Departamentit për Krime të Rënda z.Avni Syla,
gjyqtarë përgjegjës i Departamentit për të Mitur z.Adnan Isufi, gjyqtare përgjegjëse e Departamentit të Përgjithshëm-Divizioni Civil znj.Ilire Vitija si dhe janë emëruar Koordinatorët për lëndë të Dhunës në Familje, gjyqtarja znj.Ilire Vitija për lëminë civile ndërsa për lëminë penale është caktuar gjyqtarja znj.Donikë Shala Abdyli.

Me rastin e kalimit të gjyqtarëve z.Adnan Konushevci, z.Hysni Bardheci dhe z.Dardan Kadolli në Gjykatën e Apelit të Kosovës, kryetarja Shabani – Rama vlerësoi lartë bashkëpunimin, kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin si gjyqtarë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me ç’rast ndau mirënjohje në shenjë falendërimi për kontributin e tyre.

Lidhur me perfomancen e gjykatës gjatë vitit 2023 në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë pranuar 26.841 lëndë, janë trashëguar 58.256 lëndë, janë zgjidhur 22.509 lëndë dhe në punë gjithsej janë 62.588  lëndë.

Bazuar në këto statistika rezulton se Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë vitit 2023 ka pas efikasitet prej 83.86 %, që del të jetë se performanca e gjykatës ka qenë më e lartë në raport me vitin paraprak.

Në Degën në Podujevë janë pranuar 4.703 lëndë, janë trashëguar 7.106 lëndë, janë zgjidhur 4.475 lëndë dhe në punë gjithsej janë 7.334  lëndë, ndërsa efikasiteti është 95.15%.

Në Degën në Lipjan janë pranuar 3.628 lëndë, janë trashëguar 8.735 lëndë, janë zgjidhur 4.687 lëndë dhe në punë gjithsej janë 7.676  lëndë, ndërsa efikasiteti është 129.19%.

Në Degën në Graçanicë janë pranuar 1.250 lëndë, janë trashëguar 2.401 lëndë, janë zgjidhur 1.078 lëndë dhe në punë gjithsej janë 2.573  lëndë, ndërsa efikasiteti është 86.24%.

Në Degën në Gllogoc janë pranuar 2.759 lëndë, janë trashëguar 5.864 lëndë, janë zgjidhur 2.679 lëndë dhe në punë gjithsej janë 5.944  lëndë, ndërsa efikasiteti është 97.10%.

Në Degën në Fushë Kosovë janë pranuar 3.916 lëndë, janë trashëguar 2.965 lëndë, janë zgjidhur 1.097 lëndë dhe në punë gjithsej janë 5.784  lëndë, ndërsa efikasiteti është 28.01%.

Në total, Gjykata Themelore në Prishtinë me degët e saj gjatë vitit 2023, bazuar në statistikat zyrtare ka performuar me efikasitet prej 83.77%, ku ka treguar rritje të performances në krahasim me vitin paraprak 2022, e që performanca e gjykatës ka qenë prej 77.25.