Kryetarja e gjykatës ka mbajtur takimin e radhës me qytetarë në kuadër të aktivitetit “Dita e Hapur në Gjykatë”

Kryetarja e gjykatës ka mbajtur takimin e radhës me qytetarë në kuadër të aktivitetit “Dita e Hapur në Gjykatë”

Prishtinë 19 tetor 2023 – Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës znj. Albina Shabani-Rama, ka mbajtur takimin e radhës me qytetarë, përdoruesit e gjykatës, organizatat e Shoqërisë Civile në kuadër të aktivitetit “Dita e Hapur në Gjykatë”, takimi është mbajtur në objektin e Gjykatës Themelore të Prishtinës – Dega në Fushë Kosovë.

Kryetarja e gjykatës u shpreh se ky takim është i një rëndësie të veçantë, duke marrë parasysh se Dega e Gjykatës së Fushë Kosovës ka vetëm pak muaj që është hapur dhe po ushtron veprimtarinë tashmë në objektin e ri, të ndërtuar në këtë komunë.

Ndër të tjerash, Kryetarja e gjykatës i njoftoi të pranishmit se funksionalizimi i kësaj dege të gjykatës ka lehtësuar dhe ngritur efikasitetin e punës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kjo sepse nga Gjykata Themelore në Prishtinë në Degën e Gjykatës së Fushë Kosovës kanë kaluar lëndët nga viti 2020 e tutje, të cilat sipas kompetencës territoriale i takojnë kësaj të fundit.

“Dita e Hapur në Gjykatë” sot ishte një ditë bashkëbisedimi e kryetares së gjykatës me qytetarët dhe përdoresit e gjykatës me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Qytetarët dhe pjesëmarrësit tjerë u informuan për zotimin e kryetares që të jetë sa më afër dhe sa më transparent me publikun.