Kryetarja e Gjykatës shpalosë punën tremujore të gjykatës në konferencë për media

Kryetarja e Gjykatës shpalosë punën tremujore të gjykatës në konferencë për media

Prishtinë, 05 Maj 2023 – Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, znj. Albina Shabani – Rama, së bashku me nënkryetarin e gjykatës z. Mentor Bajraktari, kanë mbajtur konferencë për media, me ç’rast kanë shpalosur para gazetarëve punën e gjykatës për tremujorin e parë Janar- Mars 2023.

Qëllimi i organizimit të konferencës për media  ishte pasqyrimi i ecurisë së punës së gjykatës gjatë këtij tremujori, i cili ka qenë shumë dinamik sa i përket efikasitetit dhe njëkohësisht edhe plotësimit të përbërjes së gjykatës me gjyqtarë dhe bashkëpuntorë profesional të rinj.

Kryetarja Shabani – Rama theksoi se gjatë tremujorit të parë në këtë gjykatë janë regjistruar 5.308 lëndë të reja, në të gjitha lëmit, ndërsa janë përfunduar 3.903 sosh. Deri me datë 01.04.2023 vetëm në Gjykatën  Themelore në Prishtinë pa përfshirë degët, janë mbi 66.000 mijë dosje gjyqësore që presin zgjidhje, prej tyre në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale janë 11.397, në Departamentin Special janë 110, në Departamentin për Krime të Rënda janë 1.586, në Departamentin për të Mitur janë 553, në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Civile janë 36.664 , në Departamentin Administrativ janë 7.301 dhe në Kundërvajtje 6.720, megjithatë përtej numrit të çështjeve që shqyrtohen dhe përfundojnë, kjo gjykatë veçanarisht është e fokusuar tek cilësia e vendimarrjes, sepse në fund të fundit drejtësia materializohet tek vendimi, tek argumenti dhe tek zbatimi i drejtë i ligjit.

“ Sfidë mbetet numri i madh i lëndëve në raport me numrin e  gjyqtarëve megjithatë presim përmirësime gjatë këtij viti, pasi që kemi 15 gjyqtarë të rinj të cilët janë duke ndjekur trajnimin fillestar në Akademinë e Drejtësisë dhe pas përfundimit të trajnimit të njëjtit do të ngarkohen me lëndë, po ashtu presim që së shpejti të funksionalizohet Dega e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Fushë Kosovë, e cila do të jetë me kompetencë territoriale për Komunën e Fushë Kosovës dhe atë të Obiliqit, po ashtu rikthimi i besimit tek drejtësia mbetet sfidë për të gjithë sistemin e drejtësisë veçanarisht për Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe për këtë arsye të gjithë gjyqtarët, bashkëpunëtorët profesional dhe stafi administrativ janë të angazhuar të kontribojnë për këtë qëllim” tha kryetarja Shabani – Rama.

Kryetarja Shabani – Rama u zotua se kjo praktikë e takimit me media do ta vazhdoj ta bëjë edhe në të ardhmen në mënyrë që gjykata të jetë e hapur dhe transparente me opinionin publik dhe me media.

Krejt në fund, gazetarët patën mundësinë e parashtrimit të pyetjeve, për të cilat morën përgjigje nga kryetarja dhe nën kryetari i gjykatës.

Ky aktivitet implementohet nga organizata CLARD në bashkëpunim me IKD dhe në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Prishtinë Departamentit të Shtetit Amerikan Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit INL.