Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.B për dy vepra penale

Gjykata Themelore në Prishtinë  ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit  S.B për dy vepra penale

Prishtinë 28 Prill 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale PS.nr.10/20 ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.B. për shkak të veprave penale Marrja ryshfetit nga neni 421 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari S.B është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 19.09.2019 deri me datën 13.12.2019, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga data 14.12.2019 deri me datën 23.03.2020 si dhe dënim unik me gjobë në shumë prej pesëmijë (5.000) €uro, të cilin dënim i akuzuari S.B është i obliguar ta paguaj në afat prej një (1)  muaji nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin unik me gjobë, atëherë të akuzuarit dënimi unik me gjobë i zëvendësohet me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 250 (dyqindepesëdhjetë) ditëve, duke e llogaritur për çdo ditë të kaluar në burgim nga 20 (njëzet) €uro.

Konform nenit 59 parahgrafi 1 dhe paragrafi 2 nënparagrafi 2.3 dhe nenit 62 paragrafi 1 dhe nënparagrafi 4.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të akuzuarit i shqiptohet edhe dënim plotësues – I ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 (tri) viteve, e cila ndalesë do fillojë të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burgim të shqiptuar me këtë aktgjykim.

Ndaj të akuzuarit konfiskohet  arma e tipit “Zaza Mini” e kalibrit 8 mm, me numër serik: T.592372 së bashku me 10 fishekë, si objekt i kryerjes së veprës penale. 

Të akuzuarit S.B pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi i kthehet shuma e parave prej 10.000.00 (dhjetëmijë) €uro, për shkak se nuk ka bazë ligjore për konfiskimin e tyre përkatësisht nuk është vërtetuar se të njëjtat janë përfituar me vepër penale ashtu që obligohet Agjencia për Sekuestrimin e Pasurisë së Konfiskuar në Prishtinë që shumën  e parave të lartpërmendura t`ia dorëzojë të akuzuarit.

Detyrohet i akuzuari S.B që ti paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 300 (treqind) €uro,  si dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 100 (njëqind) €uro, të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.