Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve B.N dhe A.N

Gjykata Themelore në Prishtinë  ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve B.N dhe A.N

Prishtinë 14 Prill 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale PS.nr.56/21 ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve B.N dhe A.N.

I akuzuari B.N është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 1(një) viti, për veprën penale Pastrimi i parasë në bashkëkryerje  nga neni 302 lidhur me nenin 31 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës e lidhur me nenin 56 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.6 të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 27.05.2021 deri më 26.06.2021, si dhe dënim me gjobë, në shumë prej pesëmbëdhjetëmijë (15.000,00) €uro, të cilin dënim i akuzuari është i obliguar ta paguaj në afat prej një (1) muaji nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

I akuzuari A.N është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6)muaj, për veprën penale Pastrimi i parasë në bashkëkryerje  nga neni 302 lidhur me nenin 31 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës e lidhur me nenin 56 paragrafi 1, nënparagrafi 1.6 e lidhur me nën paragrafi 1.1 të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit,  si dhe dënim me gjobë, në shumë prej (5.000,00) €uro, të cilin dënim i akuzuari është i obliguar ta paguaj në afat prej një (1) muaji nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Konfiskohen njëqindenjëzet (120) bankënotat e dëmtuara, në vlerë totale prej gjashtëmijë e pesëdhjetë (6050) €uro, si mjete të cilat janë përdorur me kryerjen e veprës penale.

Detyrohen të akuzuarit B.N dhe A.N, që në mënyrë solidare t’ia kompensojnë në emër të dëmit të shkaktuar kërkesën pasurore – juridike të dëmtuarës NLB në Prishtinë, shumën prej pesëmijëenëntëqind (5900) €uro, në afat prej 1 (një) muaji nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënim të përmbarimit.

Detyrohen të akuzuarit që ti paguajnë shpenzimet e paushallit gjyqësor secili veç e veç në shumën prej dyqind (200) €uro,  si dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit secili veç e veç shumën prej njëqind (100) €uro, të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi.

Në bazë të nenit 363 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të KPP-së, i akuzuari B.N lirohet nga akuza, për veprën penale Blerja pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale, nga neni 333 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.