Prishtinë 12 Prill 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve A.O dhe D.RR për shkak të veprës penale Dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 pika 4.7 lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari A.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I akuzuari D.RR është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të pandehurve A.O dhe D.RR iu vazhdohet masa e paraburgimit nga data 12.04.2023 e deri sa ky aktgjykimi të merr formë të prerë, por jo më gjatë se koha e dënimit me burgim të shqiptuar në aktgjykim, ndërsa iu llogaritet masa e paraburgimit në dënimet e shqiptuara.
Të pandehurit A.O dhe D.RR obligohen që t’i paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës penale, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind (100) euro secili veç e veç, kurse në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro secili veç e veç, në emër të ekspertizës së Institutit të Psikiatrisë Forenzike shumën prej katërqind e pesëdhjetë (450) euro në mënyrë solidare, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
E dëmtuara udhëzohet që kërkesën pasurore juridike ta paraqesin në kontest të rregullt juridiko-civil.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.