Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit D.M për dy vepra penale

Gjykata Themelore në Prishtinë  ka  shpallur  aktgjykimin kundër të akuzuarit D.M për dy vepra penale

Prishtinë, 27 tetor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale PS.nr.46/22 kundër të akuzuarit D.M për veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armëve apo materialeve plasëse nga neni 364 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari D.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti, të cilin dënim do ta mbajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi dhe dënim me gjobë  në lartësi prej 1500 (njëmijë e pesëqind) euro, të cilin dënim është i obliguar që ta paguaj 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Të akuzuarit D.M masa e paraburgimit i vazhdohet deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

I akuzuari D.M me datë 09.06.2022, gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, në pikë kalimin kufitar të Jahrinjës, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kishte vepruar në kundërshtim të Ligjit të zbatueshëm në lidhje me armët apo materiet plasëse, ashtu që me qëllim të importit dhe eksportit, ka poseduar 4 paketime me municion me 4000 copë fishekë në bagazhin e veturës së tij në zbrastirën ku vendoset goma rezervë.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi, ankesa bëhet përmes kësaj Gjykate,për Gjykatën e Apelit në Prishtinë