Prishtinë, 16 qershor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve R.A.1 dhe R.A.2, të akuzuar sipas Aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
I akuzuari R.A.1 është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite për veprat penale Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, nga neni 321 paragrafi 1 të KPRK-së, Sulmi ndaj personit zyrtar, nga neni 402 paragrafi 2 të KPRK-së, Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarit R.A.1 do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 19.02.2022 deri më datë 13.06.2022.
I akuzuari R.A.2 është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 500 euro për veprën penale Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, nga neni 321 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilin dënim i akuzuari do ta paguaj në afat prej 15 ditësh, nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.
Kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.