Gjykata Themelore në Prishtinë shpallet Gjykata më Transparente në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë shpallet  Gjykata më Transparente në Kosovë

Prishtinë, 24 mars 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka pranuar çmimin “Gjykata më Transparente në Kosovë”. Çmimi është ndarë nga Departamenti i Shtetit Amerikan/Byroja Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL) në bashkëpunim me Lëvizjen FOL, të cilët kanë monitoruar procesin e publikimit të aktgjykimeve në gjykatat e Republikës së Kosovës.

Të pranishëm në këtë organizim ishin Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci, Shawn Waddoups, Drejtor i INL në Kosovë -Departamenti i Shtetit Amerikan/Byroja Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit ( INL) si dhe kryetarë të gjykatave themelore në nivel vendi.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj  dhe z.Waddoups me nga një fjalë rasti vlerësuan lartë rëndësinë e transparencës së punës së gjykatave përmes publikimit të vendimeve gjyqësore.

Çmimi është pranuar  nga Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë  Albina Shabani Rama e cila krahas falendërimit për vlerësimin e punës së gjykatës deklaroi se ky çmim do të jetë motiv shtesë për vazhdimin mëtutje të rritjes së transparencës dhe llogaridhënjës, po ashtu kryetarja Shabani-Rama çmimin në fjalë ia dedikoj bashkëpuntorëve dhe stafit administrativ të gjykatës të cilët kanë qenë të involvuar në këtë proces.

Gjykata Themelore në Prishtinë në web portalin zyrtar deri më tani ka publikuar 14707 vendime gjyqësore.