Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit G.S

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar  masën e paraburgimit kundër të pandehurit  G.S

Prishtinë 24 mars 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.S për veprat penale Rrëmbimi në tentativë nga neni 191 paragrafi 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së, Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 269 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër  të pandehurit G.S e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit  i  ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit G.S paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda  është e bazuar dhe e argumentuar për këtë fazë të procedurës.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.