Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër dy të akuzuarve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka  shpallur aktgjykimin kundër dy të akuzuarve

Prishtinë 22 mars 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve B.R.1 dhe B.R.2 për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë nga neni 173, pika 1.3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i akuzuari B.R.1 edhe për shkak të veprës penale Mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PP.I.nr.174/19 të datës 29.01.2021.

Gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale sa i përket të akuzuarit  B.R.1 dhe të njëjtin e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vite për veprën penale Vrasje nga neni 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në dënimin e shqiptuar i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 07.09.2019, të njëjtit me aktvendim të veçantë  i është vazhduar masa e paraburgimit. Gjykata konform nenit 364 të akuzuarin B.R.1 e liron nga vepra penale Mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale sa i përket të akuzuarit  B.R.2 dhe të njëjtin e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tri (3) vite për veprën penale Pjesëmarrje në rrahje nga neni 187 paragrafi 1, në dënimin e shqiptuar i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 07.09.2019, ndërsa të akuzuarit B.R.2 i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti lëshohet menjëherë në liri.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil.

Obligohen të akuzuarit që të paguajnë shpenzimet e procedurës dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 400 euro secili veç e veç, si dhe fondin për kompensimin e viktimave në shumë nga 50 euro.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.