Është shpallur aktgjykimi kundër të akuzuarit V.I për tri vepra penale

Është  shpallur aktgjykimi kundër të akuzuarit V.I  për tri vepra penale

Prishtinë 18 mars 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit V.I për veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.5 të KPRK-së, Rrëmbimi nga neni 194 paragrafi 2 pika 2.3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari V.I është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vite, e që në dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në  paraburgim që nga data 04.09.2018. Të akuzuarit V.I me aktvendim të veçantë nga gjykata,  i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotëfuqishmëri të aktgjykimit,  por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

I akuzuari V.I është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë pasi që me datë 04.09.2018 në objektin e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë –AKI  kishte privuar nga jeta tani të ndjerin I.S.

Kundër këtij aktgjykimi  palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.