Gjykata ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuares S.SH për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist

Gjykata ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuares  S.SH për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist

Prishtinë 19 janar 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin PS.nr.58/2021 kundër të akuzuares S.SH. për shkak të veprës penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E akuzuara S.SH është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me kusht duke ia vërtëtuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) viteve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara brenda afatit të verifikimit prej tre (3) viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale.

Nëse e akuzuara gjatë kohës së verifikimit kryen një apo më  shumë vepra penale, dënimi me kusht i shqiptuar mund të revokohet, ashtu që në dënimin e vërtetuar me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) viteve, do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, nga data 17.07.2021 deri më 16.08.2021. Po ashtu e akuzuara S.SH. është urdhëruar nga gjykata që të përmbushë detyrimin – vizitë tek psikologu ose tek këshilluesit tjerë dhe veprimet në pajtim me rekomandimet e tyre dhe atë në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.     

Kundër  këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit  përmës Gjykatës Themelore në Prishtinë.