Është caktuar masa e paraburgimit kundër të pandehurit K.B

Është caktuar masa e paraburgimit kundër të pandehurit K.B

Prishtinë, 17 nëntor 2020 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit K.B për shkak të dyshimit se ka kryer dy vepra penale Asgjësim apo dëmtim i pasurisë, nga neni 321, paragrafi 1 të KPRK-së dhe dy vepra penale Vjedhje e rëndë, neni 315, paragrafi 1, pika 1.1 të KPRK-së.

Të pandehurit K.B Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, pasi që e njëjta ka konstatuar se janë përmbushur kriteret  në bazë të nenit 187 par 1 nën par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.3 të KPPK-së.

Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet në liri i pandehuri  K.B,  mund të arratiset, pasi që i njëjti është me shtetësi Palestineze dhe ka aplikuar për fitimin e të drejtës për Azil në Qendrën e Azilit në fshatin Magure, po ashtu duke pas parasysh që i pandehuri K.B është person me shtetësi të huaj i njëjti mund ta fshehë identitetin e tij të vërtetë, ashtu që do të pengojë rrjedhën e procedurës penale, duke iu shmangur kështu thirrjeve të gjykatës, po ashtu ekziston rreziku se i njëjti mund të përsëris ose të kryejë vepra tjera penale.

I pandehuri K.B dyshohet se kryer këto vepra penale në Prishtinë dhe atë brenda një dite në intervale të ndryshme kohore, i njëjti  ka arritur që të vjedhë një automjet dhe gjithashtu me anë të një mjeti të pa identifikuar  ka thyer  diku rreth 9 (nëntë) automjete dhe nga aty ka arritur të marrë gjësende të ndryshme.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.