Prishtinë, 07 Prill 2025 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Albina Shabani Rama ka pritur në takim noterët e sapo-emëruar në Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gllogocit, Obiliqit, Podujevës, Graçanicës dhe Lipjanit. Pjesë e takimit ishin edhe Nënkryetarja e Gjykatës Ilire Vitija Bajraktari dhe Administratori i Gjykatës Shaban Gërxhaliu.
Kryetarja e Gjykatës iu uroj noterëve të sapo-emëruar suksese dhe punë të mbarë në këtë rrugëtim të ri profesional i cili – siç u shpreh Kryetarja e Gjykatës – është i një rëndësie të veçantë dhe kontributdhënës në mbarëvajtjen e proceseve juridike në komunat në të cilat janë emëruar.
Noterët e sapo-emëruar, në prani të Kryetares së Gjykatës, kanë bërë deponimin e vulave, vulave të thata dhe nënshkrimeve, ashtu siç legjislacioni në fuqi përcakton. Mbi këtë bazë, Kryetarja e Gjykatës ka nxjerrë vendime për secilin prej tyre me të cilat është aprovuar kërkesa për deponim, është lejuar dhe vërtetuar deponimi. Po ashtu, Kryetarja e Gjykatës ka njoftuar noterët se një formular me deponimet përkatëse do të arkivohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndërsa një formular do të dërgohet në Odën e Noterëve të Kosovës.
Noterët e sapo-emëruar të cilët kanë bërë deponimin e lartpërmendur e që kanë filluar punën e tyre sot, me datën 07.04.2025 janë:
Sahit Bajraktari, Saranda Bogaj Sheremeti, Milot Podvorica, Erblina Krasniqi, Shkëlzen Ademi, Anduena Gashi Shehu dhe Urtina Preniqi, të emëruar për Komunën e Prishtinës; Kosovare Sopi, e emëruar për Komunën e Fushë Kosovës; Fatmire Kuçi, e emëruar për Komunën e Lipjanit; Ridvan Kajtazi i emëruar për Komunën e Graçanicës; Fatmire Dobruna dhe Shqipe Bali – Zogu të emëruara për Komunën e Gllogocit; Marigona Paloj – Shabani, e emëruar për Komunën e Obliqit; dhe Ardonë Bahtiri dhe Blerim Halimi të emëruar për Komunën e Podujevës.