Prishtinë, 26 Janar 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit A. J., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, nga neni 277 lidhur me veprën penale “Trafikimi i sasive jo të vogla të drogave narkotike”, vepra të cilat janë të inkriminuara edhe sipas Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge lidhur me Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe të pandehurit A.J. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 (dyzet) ditësh, e cila do të llogaritet nga koha e arrestit.
Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë se nëse i pandehuri gjendet në liri, i njëjti mund të arratiset dhe të pengojë rrjedhën e procedurës penale. Gjithashtu gjykata konsideroj se caktimi i ndonjë mase më të butë për sigurimin e prezencës së tij në procedurë të mëtejme për ekstradim do të ishte e pa mjaftueshme duke marrë parasysh se i pandehuri A.J i posedon tri nënshtetësi, andaj dhe caktimin e ndonjë mase më të butë e konsideron si jo të bazuar dhe faktuar, pasi që i njëjti shumë lehtë mund të arratiset dhe do të pengonte rrjedhën normale të procedurës së ekstradimit.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.