Prishtinë, 03 Dhjetor 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit J.V, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëveprim ka kryer veprat penale Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike nga neni 122 lidhur me veprën penale Kryerja e veprës terroriste dhe veprën penale Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës të datës 02.12.2024, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.V, ashtu që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri J.V lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, i njëjti po ashtu është edhe shtetas i Serbisë dhe mundet lehtë të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale. Gjykata po ashtu vlerësoj se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale, mund të ndikojë në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprat e njëjta penale ose mund të kryej sërish vepra tjeara penale, në rrethana të njëjta ose më të rënda.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.