Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj kundër të pandehurit D.V

Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj kundër të pandehurit D.V

Prishtinë, 01 Dhjetor 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit D.V, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike nga neni 122 lidhur me veprën penale Kryerja e veprës terroriste dhe veprën penale Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës të datës 01.12.2024, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.V, ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një ) muaji.

Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri D.V lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, i njëjti mund të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale, po ashtu nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale ose do të pengon rrjedhën normale të hetimeve,  mund të ndikojë në dëshmitarë, mund të përsërisë veprat e njëjta penale ose do të kryej sërish vepra penale, në rrethana të njëjta ose më të rënda.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.