Prishtinë, 27 Shtator 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve V.C dhe Sh.C, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje të pastrimit të parasë nga neni 302 lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së dhe lidhur me nenin 56 (paragrafi 1) të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe i pandehuri V.C i cili ngarkohet edhe për veprën penale Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve V.C dhe Sh.C, andaj të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin.
Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit V.C dhe Sh.C në bashkëkryerje që nga periudha kohore nga viti 2011 e në vazhdimësi, duke bashkëvepruar në koordinim me njëri-tjetrin dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore në shkallë të madhe për vete, nga aktiviteti kriminal, i cili ndërlidhet kryesisht me falsifikimin e dokumenteve, mashtrime si dhe legalizimet e përmbajtjes së rreme, përmes të cilave kanë bartur në mënyrë të kundërligjshme pronësinë e paluajtshmërive të shumta në territorin e Komunës së Prishtinës, në zona të ndryshme të kryeqytetit, të cilat më pas i kanë shitur ose tjetërsuar në mënyra të ndryshme, duke krijuar pasuri të shpejtë për veten.
Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre dhe të shmangen nga procedura penale, po ashtu duke pasur parasysh peshën e këtyre veprave penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, veçanërisht rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale si dhe pasojat të cilat vlerësohet me shkallën e dëmit të vlerësuar dhe përfitimit të krijuar, janë tregues i mjaftueshëm se ekziston rreziku që të njëjtit, nëse lihen në liri, në rrethanat e një ambienti të përshtatshëm kriminogjen, lehtësisht do të mund të kryejnë vepra penale të njëjta ose më të rënda, pasojat e të cilave do të ishin më të mëdha.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.