Mali i Zi, 27 Shtator 2024 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Albina Shabani Rama, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Fejzullah Rexhepi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, Kryetari i Gjykatës së Apelit Valon Totaj dhe gjyqtari i Departamentit Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës Valon Kurtaj, po marrin pjesë në Konferencën rajonale, nën organizimin e “Projektit Rajonal për Monitorimin e Proceseve Gjyqësore – Lufta kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”, në kuadër të OSBE-së në Kosovë.
Në këtë konferencë po prezantohet Raporti i OSBE-së mbi monitorimin tre-vjeçar të sistemit gjyqësor në rajon, duke përfshirë rekomandime për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor, me diskutime të nivelit të lartë mbi çështjet strukturore dhe të politikave në ndjekjen penale, gjykimin e rasteve serioze e komplekse të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndikimin e faktorëve të jashtëm në reformat gjyqësore, menaxhimin e rasteve, si dhe rritjen e besimit të publikut në sistemin gjyqësor.
Në këtë Konferencë dy-ditore, po marrin pjesë përfaqësues të sistemit të drejtësisë nga Prishtina, Tirana, Sarajeva, Podgorica, Shkupi dhe Beogradi.