Prishtinë, 17 Shtator 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së sigurimit të pranisë së të pandehurit – Dorëzaninë, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.N ka kryer veprat penale Prodhimi përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge ose mjeteve, pajisjeve dhe materialit për narkotik dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve , ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtinë dhe të pandehurit S.N i caktohet masa e dorëzanisë, pranohet dorëzania e ofruar nga ana e te pandehurit S.N në të holla, në shumë prej tridhjetëmijë (30,000) euro.
Gjykata, vlerësoi se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e dorëzanisë ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.N ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se janë plotësuar edhe kushtet dhe arsyet e kërkuara me ligj për caktimin e dorëzanisë.
Nëse i pandehuri S.N ikë dhe arratiset, me aktvendim të gjykatës caktohet që dorëzania të derdhet në Fondin për Kompensimin e Viktimave, po ashtu i pandehuri paraburgoset dhe dorëzania hiqet nëse pas thirrjes me rregull ai nuk paraqitet dhe mungesën nuk e arsyeton, si dhe nëse përgatitet të ikë ose gjatë kohës derisa është në liri, paraqiten arsyet tjera ligjore për paraburgim. Dorëzania hiqet nëse procedura penale pushon me aktvendim të formës së prerë ose me aktgjykim të formës së prerë, ndërsa kur i pandehuri dënohet me burgim, dorëzania hiqet kur ai të ketë filluar vuajtjen e dënimit.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.