Caktohet masa e paraburgimit kundër të pandehurit F.D për shkak të dyshimit se ka kryer tri vepra penale

Caktohet  masa e paraburgimit  kundër të pandehurit F.D për shkak të dyshimit se ka kryer tri vepra penale

Prishtinë, 25 Prill 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.D , për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve.

Gjyqtarja e procedurës paraprake  ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.D dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi i është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, andaj nëse i pandehuri F.D lihet në liri, i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes së tij dhe kjo do të vështirësonte përfundimin me sukses të kësaj procedure, po ashtu i pandehuri F.D nëse do të jetë në liri, mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale ose do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë potencial, për të dhënë deklaratë në favor të tij, po ashtu gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit duke marr për bazë peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, e sidomos rrezikshmërinë që paraqesin veprimet inkriminuese të ndërmarra nga tani i pandehuri F.D.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.