Prishtinë, 20 Prill 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve K.B, B.S, B.C, L.D, A.D, B.D, E.D dhe G.D, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale Mashtrimi dhe veprën penale Hyrja në sistemet kompjuterike.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve K.B, B.S, B.C, L.D, A.D, B.D, E.D dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin, ndërsa ndaj të pandehurës G.D refuzohet kërkesa e Prokurorisë, ashtu që ndaj të njëjtës është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj.
Pas mbajtjes të seancës dëgjimore, gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi me datë 18.04.2024 në një aksion të përbashkët me autoritetet gjermane dhe Interpolin, në disa shtete të Evropës duke përfshirë edhe Kosovën, është zhvilluar aksioni i kontrollit dhe në Kosovë janë arrestuar tetë të pandehurit, andaj kjo dëshmon se të pandehurit janë të përfshirë në një rrjet ndërkombëtar dhe kanë lidhje nëpër shtete të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.
Gjykata po ashtu vlerëson se nëse të pandehurit gjenden në liri, do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të ndryshuar dhe dëmtuar provat lidhur me këtë çështje penale, do të tentojnë të ndikojnë edhe në dëshmitarë dhe të dëmtuar me qëllim të fshehjes së provave, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat personale të të pandehurve, tregojnë rrezikun se të njëjtit mund të përsërisin veprën penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.