Prishtinë, 14 Prill 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit S.S, për shkak të veprave penale Sulm ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.S dhe të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi iu është caktuar në bazë të nenit 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 të KPP-së.
Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, ngase i pandehuri S.S me qëndrimin në liri mund të fshihet apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të peshës së veprave penale për të cilat ngarkohet, e këtë duke marrë për bazë faktin se i njëjti ishte arratisur prej kohës kur dyshohet se është kryer vepra penale, po ashtu mund të fshihet apo të largohet lehtë nga Republika e Kosovës pasi i pandehuri është shtetas edhe i Republikës së Serbisë.
Me datë 13.10.2021, Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës, përderisa ishin duke e ekzekutuar një urdhër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për kontroll të disa lokacioneve në lidhje me veprën penale të kontrabandimit të mallrave, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe të Doganës, kishin shkuar në Zveçan për kontrollimin e objekteve të caktuara dhe pas përfundimit të kontrollit njësitë policore kanë qenë duke lëvizur me mjete të blinduara nga Zveçani në drejtim të Mitrovicës. Me të arritur në fshatin Rudarë, komuna e Zveçanit, kishin hasur në një barrikadë dhe në një grup të personave ku bënte pjesë edhe i pandehuri S.S. Ky grup i personave ishin të armatosur dhe i kishin dalë në pritë zyrtarëve policor, ashtu që në momentin që e kanë parë policinë në vendin e incidentit, kishin filluar të shtinë me armë automatike dhe granata dore në drejtim të policisë dhe si rezultat i këtij sulmi, nga pjesët e granatës së dorës ishte plagosur zyrtari policor -Kapiten B.A.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.