Prishtinë, 13 Shkurt 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit L.L për shkak të veprës penale Marrja e ryshfetit nga neni 421 paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari L.L është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) viteve, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në këtë dënim të shqiptuar i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, prej datës 30.06.2021 deri më datë 22.11.202, si dhe Dënim me Gjobë në shumë prej pesë mijë (5000) euro, të cilën gjobë obligohet ta paguaj brenda afatit prej 30 ditëve, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykim. Nëse dënimi me gjobë nuk mund të realizohet konform nenit 43 paragrafi 3 të KPRK-së, i njëjti do të zëvendësohet me dënim me burg.
Gjykata duke vepruar sipas nenit 59 dhe 63 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të akuzuarit L.L i shqipton Dënim Plotësues – Ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike, në administratë publike ose shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite, dënimi plotësues zbatohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Obligohet i akuzuari L.L që të paguajë shpenzimet e procedurës dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej njëqind (100) euro, për programin për kompensimin e viktimave shumën prej pesëdhjetë (50) euro, të gjitha këto në afat prej l5 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Pala e dëmtuar udhëzohet që kërkesën pasurore juridike, ta realizojnë në kontest të rregullt juridiko- civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.