Prishtinë 24 Janar 2024 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë znj. Albina Shabani – Rama ka pritur në takim katër gjyqtarët e sapo dekretuar, të caktuar si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Kryetarja e gjykatës ju uroi mirëseardhje gjyqtarëve duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim, me qëllim të forcimit të sistemit gjyqësor, duke ju premtuar se do të kenë mbështetjen e plotë të saj si dhe nga gjyqtarët kërkoj përkushtim dhe angazhim të lartë në punë.
Gjatë takimit është diskutuar për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar Gjykata, me rritje të madhe të numrit të lëndëve të arritura në Gjykatë, sidomos në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale dhe Divizioni për Çështje Civile.
Gjyqtarët fillimisht do ti nënshtrohen trajnimit pranë Akademisë së Drejtësisë, pastaj pas përfundimit të trajnimit do të ngarkohen me lëndë.
Gjyqtarët janë dekretuar me datë 16 Janar 2024 nga Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani, pas procedurave të rekrutimit nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.