Kryetarja e gjykatës ka marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nga OSBE me temën “Menaxhimi i lëndëve dhe caktimi i seancave të njëpasnjëshme”.

Kryetarja e gjykatës ka marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nga OSBE me temën “Menaxhimi i lëndëve dhe caktimi i seancave të njëpasnjëshme”.

Prishtinë, 03 nëntor 2023 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë znj. Albina Shabani – Rama ka marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nga OSBE me temën “Menaxhimi i lëndëve dhe caktimi i seancave të njëpasnjëshme”.

Të pranishëm në këtë punëtori ishin Kryetarja e Gjykatës Albina Shabani Rama, z. Michael Boerner Zyrtar i Lartë Ligjor, Seksioni për Ligj dhe Drejtësi në kuadër të misionit të OSBE-së në Kosovë, monitoruesit gjyqësor nga OSBE z.Burim Blakaj dhe z.Shpëtim Halilaj, gjyqtarët nga Departamenti i Përgjithshëm Divizioni Civil dhe Penal të Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjyqtarët mbikëqyrës të degëve të Gjykatës Themelore të Prishtinës, administratori i gjykatës, ndihmës administratorët e degëve të gjykatës si dhe bashkëpunëtorët profesional.

Në këtë takim u diskutua lidhur me menaxhimin e lëndëve dhe caktimin e seancave gjyqësore të njëpasnjëshme, me qëllim të trajtimit te lëndëve gjyqësore brenda një afati të arsyeshëm kohor.Në një diskutim të hapur, pjesëmarrësit shprehen disa nga pengesat e hasura për caktimin e seancave të njëpasnjëshme, duke pas parasysh gjithmonë se e drejta e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor është një nga të drejtat thelbësore procedurale.

Kryetarja e gjykatës Shabani – Rama tha se është në dijeni për vështirësitë e realizimit të këtij plani për faktin se gjyqtarët sidomos në Departamentin e Përgjithshëm janë të ngarkuar me shumë lëndë, mirëpo seancat gjyqësore të njëpasnjëshme mund të shfrytëzohen për përshpejtimin e zgjidhjes së lëndëve dhe njëkohësisht për të krijuar një gjyqësor më efikas.

Po ashtu, përfaqësuesit nga OSBE shpalosen disa të gjetura gjatë monitorimit të seancave gjyqësore që kishin të bëjnë me menaxhimin e seancave gjyqësore, si dhe arsyet për dështimet e seancave gjyqësore.

Në fund, u diskutua edhe lidhur me standardet dhe cilësinë e vendimeve gjyqësore, si dhe sfidat në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe degë.