Prishtinë, 07 gusht 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit D.M, për shkak të veprës penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari D.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me dënim me gjobë, në shumën prej 5.000.oo ( pesë mijë) euro. I akuzuari dënimin me gjobë mund ta paguaj brenda afatit prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Me datën 23.12.2022 rreth orës 17:16, derisa e dëmtuara G.M ishte në veturën e saj në lagjen e Spitalit në Prishtinë, i akuzuari D.M përmes telefonit mobil e kishte kanosur të dëmtuarën G.M në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Republikës së Kosovës me fjalë, e pas disa minutash rreth orës i kishte dërguar një mesazh përmes telefonit, me çka tek e dëmtuara G.M kishte shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.