Prishtinë 03 gusht 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin PS.nr.33/2023 në çështjen penale kundër të akuzuarve S.J dhe I.S. për veprat penale në bashkëkryerje Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi nga neni 404 paragrafi 1 dhe 3 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa i akuzuari I.S edhe për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari S.J është shpall fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit pas shpalljes së aktgjykimit, i zëvendësohet me dënimin me gjobë, në shumën prej shtatëmijë (7.000.00) Euro. Në dënimin e shqiptuar me gjobë, të akuzuarit S.J i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 31.05.2023 deri 03.08.2023, gjithsej 65 ditë, ashtu që për një (1) ditë të kaluar nën masën e paraburgimit, barazohet me njëzet (20) Euro, e që si gjobë që tani i gjykuari duhet të paguaj, i mbetet shuma prej pesëmijë e shtatëqind (5.700.00) Euro. Obligohet i akuzuari S.J që konform nenit 43 paragrafi 2 të KPRK-së, dënimin e lartcekur ta paguajë në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Nëse i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë gjobën, gjykata konform nenit 43 paragrafi 3 të KPRK-së do t’ja zëvendësojë me dënim me burgim.
I akuzuari I.S është shpall fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit pas shpalljes së aktgjykimit i zëvendësohet me dënim unik me gjobë, në shumën prej nëntëmijë (9.000.00) Euro. Obligohet i akuzuari që konform nenit 43 par.2 të KPRK-së, gjobën e lartcekur ta paguajë në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Nëse i gjykuari në fjalë nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë gjobën, gjykata konform nenit 43 par.3 të KPRK-së do t’ja zëvendësojë me dënim me burgu duke ja llogaritur për një ditë burg me njëzet (20) Euro.
Konform nenit 67 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kundër të akuzuarëve S. J dhe I.S ju shqiptohet Dënimi Plotësues – Urdhërohet dëbimi i dy të akuzuarve nga Territori i Republikës së Kosovës dhe secilit veç e veç ju ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, në kohëzgjatje prej tre (3) vite nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, dhe urdhërohet konfiskimi i përhershëm i sendeve të sekuestruara.
Me aktvendim të veçantë, gjykata ju ka ndërprerë masën e paraburgimit dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.