Prishtinë, 20 korrik 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar, nga neni 414 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Falsifikim i dokumentit zyrtar, nga neni 427, paragrafi 1 dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Gjykata pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, gjeti se kërkesa e prokurorit është e bazuar, ashtu që marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete, ka konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me nenin 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1 dhe 2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.