Prishtinë, 19 korrik 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A i dyshuar për veprën penale Vrasje e Rëndë nga neni 147 paragrafi 1, nën paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosvës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A dhe të njëjtit iu caktua masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit I.A dhe ka vlerësuar se përmbushet kriteri nga neni 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.1. të KPRK-së, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti dyshohet për vepër të rëndë penale për të cilën sipas ligjit parashihet dënim i lart burgimi, duke shtuar faktin se i pandehuri nga viti 2008 ka qenë në arrati, andaj bazuar në të kaluarën e të pandehurit dhe sjelljen e tij ne raport me organet ligj zbatuese, gjykata konsideron se nëse i njëjti gjendet në liri, ekziston rreziku që të arratiset dhe të bëhet i pakapshëm për organet e drejtësisë, andaj konstatoi së masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale, në këtë fazë të procedurës penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.