Prishtinë, 04 korrik 2023 – Me një ceremoni të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), është përuruar objekti i degës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Fushë Kosovë, në të cilën ishin prezent kryetarë të gjykatave, kryeprokurorë, anëtarë të KGJK-së dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi dhe personalitete të sistemit gjyqësor dhe prokurorial.
Me këtë rast, Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se dega në Fushë Kosovë ka qenë shumë e domosdoshme dhe e nevojshme, prandaj do të ofrohet çdo përkrahje për menaxhimin e mirë të punës, me qëllim të ofrimit të shërbimeve gjyqësore dhe forcimit të qasjes së publikut në komunat në të cilat i përfshinë kjo degë.
“Ofrimi i shërbimeve më afër qytetarëve dhe lehtësimi i qasjes në gjykatë është misioni ynë i përbashkët, prandaj falënderoj të gjitha institucionet dhe partnerët të cilët kanë kontribuar në këtë proces të rëndësishëm të konsolidimit të degës në Fushë Kosovë, e në veçanti kryetari i Komunës së Fushë Kosovës dhe Komunës së Obiliqit. Me këtë rast, i përgëzoj edhe qytetarët e të dy komunave dhe njëkohësisht u bëj thirrje që të besojnë në punën dhe shërbimet e sistemit gjyqësor, për shkak se ne po bëjmë përpjekje të përbashkëta edhe me sistemin prokurorial me qëllim që standardet e Këshillit të Evropës të aplikohen në Kosovë si dhe të kemi rritje të efikasitetit dhe cilësisë në punën tonë”, tha mes tjerash Zogaj.
Nënkryetari i Gjykatës Themelore Prishtinë, Mentor Bajraktari, në një fjalë rasti tha se dega në Fushë Kosovë pa dyshim se do të lehtësojë punën e Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe do të ndikojë në rritjen e efikasitetit të zgjidhjes së lëndëve.
Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, theksoi rëndësinë e hapjes së kësaj dege, dhe tha se tashmë qytetarët e kësaj komune do të ndihen më të lehtësuar në kryerjen e punëve dhe marrjen e shërbimeve gjyqësore. Po ashtu, kryetari Berisha uroi të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ për fillimin e punës.
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, shprehu mirënjohjen për këtë investim i cili do t’ju mundësojë qytetarëve të Obiliqit kryerjen e shërbimeve të tyre në një degë më të afërt. Po ashtu, Kryetari Gashi shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin me sistemin gjyqësor.
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në emër të sistemit prokurorial, uroi që kjo degë të shërbejë për të gjithë qytetarët e të dy komunave, me ç’rast bëri thirrje për ngritjen e imazhit të sistemit gjyqësor sepse sipas tij, sistemi i drejtësisë ka përmirësuar qasjen dhe imazhin ndaj qytetarëve të vendit.
Me fillimin e punës së kësaj dege, sistemi gjyqësor ka ndërmarr edhe një hap tjetër të rëndësishëm drejtë avancimit të qasjes së publikut ndaj shërbimeve gjyqësore.
Dega në Fushë Kosovë ndodhet në rrugën “Bedri Pejani”, prapa Komunës së Fushë Kosovës, objekti i së cilës ka një hapësirë prej 1829.69 metra katrorë.