Prishtinë, 23 mars 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së Arrestit Shtëpiak në çështjen penale kundër të pandehurit A.A, për shkak të veprës penale Keqpërdorim i besimit nga neni 330 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe veprën penale Shmangie nga tatimi nga neni 307 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së Arrestit Shtëpiak për të pandehurin A.A e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e Arrestit Shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Në rast të mosrespektimit të kësaj mase, të pandehurit A.A do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake, pas dëgjimit të prokurorit të shtetit, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, me faktin nëse ekzistojnë arsyet për caktim e masës së arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës penale për caktimin e masës së Arrestit Shtëpiak, konstaton se ne bazë të provave të cilat gjenden ne shkresat e lëndës plotësohet kushti i përgjithshëm ligjor nga neni 181 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të KPP-së, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, poashtu gjykata konstaton se përmbushet edhe kushti i veçantë nga neni 181 paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 lidhur me nenin 184 paragrafi 2, pika 1.2.2 dhe pika 1.2.3 të KPP-së.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.