Prishtinë, 21 mars 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve M.M dhe A.M për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa secili veç e veç dyshohet se kanë kryer edhe veprën penale Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.M e ka refuzuar ndërsa për të pandehurin A.M kërkesën e prokurorisë e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake, pas dëgjimit të prokurorit të shtetit, të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre, për caktimin e masës së paraburgimit, vlerësoj se kërkesa e prokurorit të shtetit sa i përket të pandehurit A.M është e bazuar sepse janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa sa i përket të pandehurit M.M, në mungesë të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit është refuzuar, si e pa bazuar.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.