Prishtinë, 26 janar 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit R.Z për veprën penale Falsifikimi i parasë nga neni 296 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari R.Z është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite, të cilin dënim i akuzuari do ta mbajë pasi aktgjykimi do ta merr formën e prerë. I akuzuari R.Z është recidivist i disa veprave tjera penale.
Më datë 11.01.2021 rreth orës 20:55 në Lipjan, në pompen e derivateve “Luma Petrol”, gjatë kontrollimit të veturës së të akuzuarit R.Z nga ana e Policisë së Kosovës, është gjetur kartëmonedha në vlerë prej 500 euro, e cila ka qenë e falsifikuar, e cila ishte vërtëtuar nga raporti i Forenzikës së Kosovës. I akuzuari kishte qenë në dijeni se monedha ishte e falsifikuar, por të njëjtën kishte tentuar ta fus në qarkullim.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.