Zgjedhet nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë

Zgjedhet nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë

Prishtinë, 27 dhjetor 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka aprovuar propozimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë Albina Shabani Rama për caktimin e nënkryetarit të gjykatës, gjyqtarit Mentor Bajraktari.

Gjyqtari Mentor Bajraktari është zgjedhur nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë me mandat i cili do të jetë i lidhur me mandatin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në vazhdim gjeni biografinë e gjyqtarit Mentor Bajraktari:

Mentor Bajraktari është gjyqtar në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjyqtari Bajraktari ka diplomuar në vitin 2007 në Universitetin Shtetëror të Tetovës-Fakultetin Juridik në Republikën e Maqedonisë. Ai kreu provimin e jurisprudencës në vitin 2013. Ndërsa në vitin 2015 ka përfunduar me sukses Trajnimin Fillestar, Provimin Përgatitor dhe Përfundimtar për Gjyqtar pranë Institutit Gjyqësor të Kosovës në Prishtinë. Në vitin 2008/09 ka mbajtur një praktikë në Komunën e Prizrenit. Ndërsa praktiken profesionale e mbajti në Gjykatën e Qarkut në Prizren gjatë vitit 2009/10. Në vitin 2010/11 ka punuar në Institucionin Mikrofinanciar “Finca-Kosovë” si nëpunës i kredive në vonesë. Prej vitit 2011, ka filluar punojë në Gjykatën Komunale në Prizren, si Referent, ndërsa gjatë viteve 2013-2015 ka vazhduar të punojë në Gjykatën Themelore në Prizren si Bashkëpunëtor Profesional. Në vitin 2015, është emëruar Gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ndërsa nga nëntori i vitit 2019 është avancuar si gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda ku ka punuar deri në dhjetor të vitit 2020. Në muajin dhjetor të vitit 2020 është caktuar gjyqtarë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pozitë të cilën ende e mban.