Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit B.K për dy vepra penale

Gjykata Themelore në Prishtinë ka  shpallur  aktgjykimin kundër të akuzuarit B.K për dy vepra penale

Prishtinë, 08 dhjetor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit B.K për shkak se në bashkëkryerje e në vazhdimësi ka kryer veprën penale Grabitje nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari B.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) viteve për veprën  penale në bashkëkryerje, Grabitje nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 04.03.2020 deri me datë 08.12.2022, ndërsa  për  veprën penale, dispozitivi Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, gjykata i shqiptoi dënim gjobë në shumën prej 1000 (njëmijë) euro.

Sa i përket veprës penale në bashkëkryerje e në vazhdimësi, Grabitje  nga neni 317 paragrafi 3  lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPK-së, të njëjtin gjykata e liroi nga akuza, në mungesë të provave. 

I akuzuari B.K detyrohet që të dëmtuarit S.G  t’ia paguajë dëmin në shumë prej 280 euro, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa sa i përket të dëmtuarës “Exfis” e njëta udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil, i akuzuari po ashtu detyrohet që të paguajë shpenzimet gjyqësore sipas fletë shpenzimit të kësaj gjykate në shum֝ën  prej 500 euro, ndërsa në Fondin e viktimave shumën prej 50 euro. 

Me aktvendim të veçantë të akuzuarit B.K i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtën e ushtrimit të ankesës, në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.