Prishtinë, 07 dhjetor 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë – Departamenti Penal ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarit F.S, për shkak të veprës penale Kanosje nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sipas aktakuzës PP.II.nr.737/22F të datës 24.10.2022, të Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm.
Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, ka paraqitur aktakuzën me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit PP.II.nr.737/22F e datës 07.12.2022, pranë Gjykatës Themelore Prishtinë-Dega Podujevë, kundër të pandehurit F.S për shkak të veprës penale Kanosje nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë çështje penale, gjykata ka mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar më datë 07.12.2022 dhe i pandehuri F.S e ka pranuar fajësinë. Pas pranimit të fajësisë, gjykata ka bërë shpalljen e aktgjykimit, ashtu që ndaj të pandehurit ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimi.
Gjyqtari i vetëm gjykues pas dëgjimit të palëve në seancën e shqyrtimit fillestar dhe analizimit të shkresave të lëndës, vërteton se kundër të pandehurit është i nevojshëm dhe i domosdoshëm caktimi i masës së paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit P.nr.451/2022 të datës 08.12.2022, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim pasi të ekziston baza ligjore sipas nenit 187 par.1 nën par 1.1 dhe 1.2 pika.1.2.3 të KPPRK-së, pasi që janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me nenin 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe nën paragrafi 1.2 pika 1.2.3 të KPPRK-së, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.S.
Gjykata vlerëson se caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton pesha e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij L.S gjithashtu karakteristikat e tij personale, që tregon fakti se i njëjti më parë ka qenë i dënuar me burgim në 5 (pesë) çështje penale, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të pandehurin në përsëritjen e veprës penale apo edhe të përfundoj veprën penale për të cilën është kanosur se do ta kryej.
I akuzuari F.S, me datë 05 dhjetor 2022 derisa ishte duke u mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar për veprën penale Dhunë në familje i cili ishte në vuajtje të dënimit, ka kërcënuar dy gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, G.B dhe A.F dhe lidhur me këtë është njoftuar Policia e Kosovës e cila ka ndërmarrr gjitha veprimet e duhura.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.