Është caktuar masa e paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të Dhunimit

Është caktuar masa e paraburgimit  kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të Dhunimit

Prishtinë, 29 gusht 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti pë Krime të Rënda dhe Departamenti për të Mitur kanë vendosur lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Dhunimi nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.6 dhe lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës së ndjeshme – e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit dhe të miturit, ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që të njëjtit do ti asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo edhe të falsifikojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.