Prishtinë, 05 gusht 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve M.K dhe A.B për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Mashtrimi nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa M.K dyshohet se ka kryer edhe veprën penale Shmangie nga tatimi nga neni 307 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve M.K dhe A.B e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse të pandehurit M.K dhe A.B gjendet në liri ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale në këtë të fazë të procedurës, ngase të njëjtit kanë zhvilluar aktivitet të kundërligjshëm dhe atë në bashkëkryerje duke dëmtuar një numër të konsiderueshëm të qytetarëve përmes agjencionit të tyre, andaj po të lihen në liri, të njëjtit do ti ikin përgjegjësisë penale dhe me këtë do të pengojnë edhe rrjedhën e procedurës penale, po ashtu nëse lihen në liri, të pandehurit do ti përsërisin veprat të ngjashme penale dhe me këtë do të vazhdoj edhe më tutje dëmtimi i pasurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit M.K dhe A.B dyshohen nga prokuroria se në bashkëkryerje, përmes fakteve të rreme përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet” iu kanë shitur bashkatdhetarëve/të dëmtuarve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit në Kosovë me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi aktual, e të cilat fluturime nuk janë realizuar edhe përkundër pagesave që janë bërë nga të dëmtuarit.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.