Prishtinë 28 korrik 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë, Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Ngacmimi seksual nga neni 183 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimiti në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, nga momenti i ndalimit të tij, të pandehurit D.B, masa e paraburgimit i caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës së ndjeshme – i mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të pandehurin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.