Prishtinë 15 mars 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.K, A.SH, A.H, B.L, D.L, F.S, F.GJ, G.A, G.H, G.SH, G.T, H.D, H.P, H.H, I.D, I.D, I.T, K.S, L.H, M.B, R.T, S.M, XH.H, XH.H dhe XH.L për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 1, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotorpe dhe analoge e sanksionuar me nenin 267 paragrafi 3 të KPRK-së,Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e sanksionuar me nenin 414 paragrafi 1 të KPRK-së,Marrja e ryshfetit, e sanksionuar me nenin 421 paragrafi 2 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit e sanksionuar me nenin 424 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Kontrabandimi i mallrave e sanksionuar me nenin 311 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër njëzet e pesë të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtve ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç. Të pandehurve iu është caktuar paraburgimi në bazë të nenit 165 paragrafi 2 nën paragrafi 2.5 pika 2.5.2 dhe 2.5.3 të KPPK-së.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Gjykata ka mbajtur seancën dëgjimore edhe për njëzet e pesë të pandehur të tjerë, ndërsa vendimi nga gjykata do të merret gjatë ditës së nesërme.