Prishtinë 02 mars 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit E.V. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit E.V. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të miturit E.V. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 185 paragrafi 1 dhe neni 187 paragrafi 1. nënparagrafi 1.1 dhe paragrafi 1 nënparagrafi 1.2 dhe pika 1.2.3 të KPPRK-së.
Ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e ndalon ekzekutimin.